Osmani: Kushtetuesja në Maqedoninë e Veriut po rrezikon stabilitetin
Në një fjalim të mbajtur në Capitol Hill, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ngriti alarmin për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se përpjekjet për të minuar marrëveshjet që kanë garantuar stabilitetin në rajon, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, përbëjnë rrezik serioz për sigurinë e përgjithshme.
Sipas njoftimit nga BDI, ai deklaroi se sot presioni nuk ushtrohet më vetëm me mjete ushtarake, por përmes narrativave politike dhe institucioneve, duke përmendur konkretisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut si pjesë e një klime që mund të çojë drejt destabilizimit.
“Ai nënvizoi se Ballkani Perëndimor tashmë është pjesë e hapësirës së konkurrencës strategjike dhe se integrimi rajonal, infrastruktura dhe bashkëpunimi politik janë elemente kyçe të parandalimit modern. Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe Iniciativën e Korridorit 8, të cilën e cilësoi si projekt sigurie për krahun jugor të NATO-s”, thuhet në njoftim.
Në fund, ai apeloi që rajoni të mos trajtohet vetëm si hapësirë për menaxhimin e krizave, por si investim strategjik në arkitekturën euroatlantike të sigurisë, duke paralajmëruar se injorimi i këtyre zhvillimeve sot mund të prodhojë pasoja serioze në të ardhmen.