Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën e Evropës, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Osmani ka thënë se për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht “sfidave dhe padrejtësive gjatë këtij rrugëtimi”.
“Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.
Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shkruar Osmani.