Pas publikimit të aktgjykimit të dytë nga Gjykata Kushtetuese për ngërçin politik në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani ka zgjedhur të heshtë, duke mos dhënë asnjë koment mbi një çështje thelbësore për funksionimin e institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, ajo është përqendruar në çështje të tjera ndërkombëtare, si me marrëveshjen e paqes të arritur mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke lënë në hije tensionet dhe debatet e ashpra që po zhvillohen brenda vendit lidhur me këtë aktgjykim.
Pas publikimit të aktgjykimit, Bashkimi Evropian dhe disa ambasada të huaja kanë bërë thirrje për zbatim të tij, por Osmani, e cila është garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve, ka zgjedhur heshtjen.
Ndërsa Kosova po përjetonte debat të ashpër rreth këtij aktgjykimi, presidentja ka vendosur të shprehet për një çështje krejtësisht periferike. Pa asnjë kërkesë nga ana e askujt, ajo ka dhënë qëndrimin e saj për marrëveshjen historike mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Në llogarinë e saj në X, Osmani ka shkruar se kjo marrëveshje është dëshmi e fuqisë së lidershipit amerikan: “Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fortë dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe në nivel global.”.
Duket se presidentja Osmani ende nuk e ka kaluar mospajtimin me Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen që e ka tërhequr.
Të martën, ajo njoftoi se kishte tërhequr kërkesën e saj për sqarim në Gjykatën Kushtetuese, të dorëzuar në korrik, lidhur me atë se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi nuk do të konstituohej deri më 26 korrik.
Në konferencën për media, Osmani deklaroi se ky veprim ishte reagim ndaj faktit që gjyqtari serb Radomir Llaban u caktua si raportues për këtë çështje.
“Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për veprimtarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021 dhe 2024, institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta e zyrtare”, pati thënë ajo.
Ky veprim i presidentes Osmani është kritikuar ashpër si shprehje e mosbesimit të thellë ndaj institucioneve të drejtësisë në vend.