Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) organizoi të mërkurën konferencën hyrëse të edicionit të dymbëdhjetë të Javës së Grave 2025, duke hapur një seri aktivitetesh që do të zgjasin deri në shtator dhe që synojnë fuqizimin e grave në politikë dhe qeverisje në prag të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gratë kanë qenë gjithmonë pjesë thelbësore e historisë së qëndresës, lirisë dhe ndërtimit të shtetit.
“Nga lufta për liri kemi ecur me bindje drejt ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve të forta. Nga shtypja u angazhuam që më në fund të kemi zë, madje zë të fuqishëm. Nga padrejtësitë luftuam për lirinë e paqen dhe në çdo hap të kësaj rruge nuk ishin vetëm burrat ata që e shtynë vendin tonë përpara. Ishin edhe gratë, nënat, studentet, të mbijetuarat, ëndërrimtaret, ato që i prinë protestave, ato që luftuan për lirinë, ato që ndërtuan paqen, demokracinë dhe shtetin tonë”, tha presidentja.
Ajo theksoi se gratë shpesh kanë udhëhequr pa u quajtur lidere, duke mbajtur familjet e tyre bashkë kur gjithçka tjetër po shembej.
“Gratë që e riformuluan vetëkuptimin e shërbimit, jo për pushtet, por për qëllim, kauzë, lidershipi që transformon nuk buron asnjëherë nga egoja, por nga empatia. Ky rrugëtim nuk është asnjëherë i lehtë. Edhe sot gratë që udhëheqin vihen në pikëpyetje. Edhe sot patriarkati vishet me kostume të reja: pritni edhe pak, pritni radhën tuaj, pritni se ju jeni gra, pritni se ende jeni të reja, pritni se kjo është punë për burra, hesht dhe mos fol, por ne që qëndruam gjithnjë përballë këtyre paragjykimeve”, tha Osmani.
Drejtoresha e Zyrës së NDI në Kosovë, ambasadorja Nancy Soderberg, tha se ky edicion i Javës së Grave mbahet në një moment veçanërisht të rëndësishëm për Kosovën.
“Teksa NDI shënon mbi 25 vjet në Kosovë, ne ritheksojmë përkushtimin tonë të palëkundur për të nxitur një sistem demokratik që pasqyron vërtet zërat, nevojat dhe kontributet e të gjithë qytetarëve të tij, duke garantuar mundësi dhe llogaridhënie për secilin”, tha ajo.
Ajo tha se përfundimi i zgjedhjeve parlamentare në shkurt të këtij viti ka sjellë si sfida ashtu edhe mundësi.
“Vonesat në formimin e institucioneve kyçe e kanë shtyrë Kosovën të ecë përpara në një periudhë të ndjeshme ku parimet demokratike dhe besimi publik janë duke u vënë në provë. Por këto momente vështirësie gjithashtu paraqesin një mundësi për reflektim, ristrategjizim dhe rinovim,” tha Soderberg.
Sipas saj, Java e Grave 2025 ofron një hapësirë thelbësore për të shqyrtuar rolin e grave në politikë, jo si një çështje të ndarë, por si një element qendror për legjitimitetin, efektivitetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve dhe jetës publike.
“Gjatë gjithë Javës së Grave të këtij viti, fokusi ynë kryesor do të jetë fuqizimi i udhëheqjes së grave në mënyra konkrete dhe të matshme. Kjo nismë është pa mëdyshje për përmbajtje dhe jo për simbolikë. Gjatë viteve, platforma e Javës së Grave ka dëshmuar vazhdimisht se kur gratë pajisen me mjetet, mbështetjen dhe njohjen e nevojshme, ato udhëheqin me ndryshim transformues në komunitete dhe institucione”, tha ajo.
Beate Katja Elsässer, udhëheqëse në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nga Ambasada e Zvicrës, tha se viti 2025 përbën një provë të rëndësishme për institucionet demokratike të Kosovës.
“Me dy palë zgjedhje brenda një viti të vetëm, viti 2025 përbën një provë serioze për institucionet demokratike të Kosovës. Por është gjithashtu një mundësi e fuqishme për të reflektuar se sa rrugë kemi bërë deri tani dhe të jemi të sinqertë sa shumë mbetet ende për t’u bërë për të siguruar që gratë jo vetëm të përfshihen në politikë, por të jenë duke e formësuar atë,” tha Elsässer.
Ajo nënvizoi se në këtë kohë pasigurie dhe ndryshimi, udhëheqja e grave ka më shumë rëndësi se kurrë.
“Është puna e atyre që ngrehin zërin dhe këmbëngulin për përfaqësim më të mirë, për më shumë llogaridhënie dhe për rezultate më të mira për të gjithë. Për më shumë se dy dekada, Zvicra ka mbështetur me krenari rrugëtimin demokratik të Kosovës. Përmes partneritetit tonë, kemi investuar në udhëheqje gjithëpërfshirëse, institucione të hapura dhe qytetari aktive”, tha ajo.
Elsässer tha se Zvicra do të vazhdojë të investojë në pjesëmarrjen politike të grave, fuqizimin ekonomik, qasjen në drejtësi dhe udhëheqjen në të gjitha nivelet.
“Ne besojmë se qeverisja gjithëpërfshirëse dhe barazia gjinore nuk janë vetëm ideale. Ato janë parakusht për paqe, mirëqenie dhe demokraci,” tha ajo.
Ajo shtoi se Java e Grave e këtij viti është veçanërisht e rëndësishme sepse lidhet drejtpërdrejt me përgatitjet për zgjedhjet lokale.
“Ky aktivitet nuk ka të bëjë vetëm me sa gra fitojnë vende. Ka të bëjë me mënyrën se si i përgatisim, i mbështesim dhe i fuqizojmë gratë që të udhëheqin me qëllim dhe ndikim. Ka të bëjë me sigurimin që gratë të kenë mjetet, dukshmërinë dhe rrjetet për të udhëhequr nga niveli bazë, dhe që partitë politike, institucionet dhe votuesit të jenë të gatshëm t’i përkrahin ato,” tha Elsässer.