Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim Kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha.
Në njoftimin e presidencës, thuhet se Kryeparlamentari Basha e ka informuar Presidenten Osmani për qëndrimin e tij për konstituimin e Kuvendit, derisa Osmani e ka informuar atë se ekipi ligjor i Presidencës po bën analizën lidhur me konstituimin e Kuvendit.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim, në cilësinë e tij, të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha. Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
“Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Për takimin me Osmanin foli edhe Basha në konferencën për media pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ai tha se takimi me Presidenten ka qenë vetëm konsultativ, ashtu siç do të ishte edhe mbledhja me Kryesinë.
Kryeparlamentari tha se Presidenten Osmani e ka njoftuar për çfarë ka ndodhur në Kuvend dhe arsyetimin prapa vendimeve të marra.