Lajme

Orav nderon Afrim Bunjakun, kërkon nga Serbia t’i dënojë dhe dorëzojë sulmuesit e Banjskës

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka kujtuar sot policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën dy vjet më parë gjatë sulmit terrorist në Banjskë.

Përmes një postimi në X, ai kërkoi nga institucionet e Serbisë t’i sjellin para drejtësisë autorët e këtij sulmi.

“Shpreha respektin tim për policin e Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin e tmerrshëm në Banjskë dy vjet më parë. Autorët e sulmit duhet të mbahen përgjegjës”, shkroi Orav në platformën X.

Ai theksoi se “BE-ja pret që autoritetet serbe të arrestojnë dhe ndjekin penalisht personat që gjenden në Serbi, si dhe t’i përgjigjen kërkesës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike”.

Më 24 shtator, 2023, një grup i armatosur serb kishte qëlluar dhe vrarë rreshterin policor, Afrim Bunjaku. Ishte nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ai që në ndërkohë pranoi se ishte organizator dhe prijës i këtij grupi terrorist.

Autoritet e Kosovës lokalizuan grupin në Manastirin e Banjskës, tre nga të cilët u vranë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Pjesa tjetër e tyre ikën më këmbë për në territorin e Serbisë, ku dyshohet se vazhdojnë të qëndrojnë të lirë.

Back to top button