Operacioni “Qielli i Thyer”: 7 të arrestuar në 25 lokacione të bastisura për pesë vepra penale

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar operacionin “Qielli i Thyer”, në Prishtinë e në Pejë, me çrast janë arrestuar shtatë persona.
Ky aksioni është realizuar në 25 lokacione të ndryshme.
Personat e arrestuar dyshohen për përfshirje në vepra penale: pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve; si dhe pastrimi i parave.
Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.
Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë:
- 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë;
- Një ( 1 ) peshore për matjen e lëndëve narkotike;
- 11,065 euro para të gatshme;
- 34 automjete;
- Shtatë (7) armë zjarri;
- Dokumente personale me identitet të rremë;
- Pajisje elektronike;
- Dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar.
“Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbesin të përkushtuara në luftimin e krimit të organizuar, duke synuar jo vetëm parandalimin, por edhe sjelljen para drejtësisë të atyre që cënojnë ligjin dhe rendin”, thuhet në njoftimin e PSRK dhe PK-dë.