Oda e Farmacistëve të Kosovës ka reaguar pas lajmit për vdekjen e drejtores së Shëndetësisë në Kamenicë, Greta Kryeziu.
“Me pikëllim të thellë, njoftojmë për ndarjen nga jeta të koleges sonë Greta Kryeziu. Pavarësisht mobilizimit të menjëhershëm dhe mbështetjes së madhe nga të gjithë ju — kolegë, miq e njerëz të mirë — Greta nuk arriti ta fitojë këtë betejë të padrejtë me jetën”, thuhet në reagimin e Odës.
Sipas Odës, humbja e saj “i tronditi të gjithë”
“Humbëm një kolege të përkushtuar, një shpirt të mirë, një mike të dashur që do të na mungojë pafundësisht në çdo hap”.
Tutje, Oda e Farmacistëve të Kosovës shprehu ngushëllimet e saj më të thella dhe të sinqerta: “Në këto çaste të rënda, Oda e Farmacistëve të Kosovës, në emër të gjithë komunitetit të farmacistëve, shpreh ngushëllimet më të thella dhe të sinqerta për familjen Kryeziu, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin Gretën”.