Komuna e Skenderajt ka dalë e para në listën e komunave më transparente për vitin 2022, sipas vlerësimeve të bëra nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), një vlerësim ky i Indeksit të Transparencës për Qeverisjen Komunale.
Fadil Nura, kreu i kësaj komune, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se arritja e këtij rezultati ka ardhur si pasojë e punës së madhe që ka bërë komuna bashkë me një ekip profesional.
“Me marrjen e qeverisjes kemi bashkëpunuar me një ekip të ngushtë profesional, bashkë me drejtorët e drejtorive dhe në përgjithësi me zyrtarët tjerë bartës, në mënyrë që t’i adresojmë çështjet që i kemi gjetur si të rekomanduara. Në të njëjtën kohë kemi vlerësuar mangësitë që i kemi gjetur dhe kemi punuar me një zell të madh. Madje ekipi, në këtë rast Zyra e Informimit e komunës, ka ndodhur të punojë edhe pas orarit edhe gjatë natës për të arritur që me të vërtetë qeverisja jonë të jetë transparente para qytetarëve në shumë fusha. Këtu përfshijmë prokurimin publik, buxhetin dhe financat publike, qasjen në dokumente dhe informacion publik, pjesëmarrjen publike të qytetarëve në vendimmarrje, grande dhe subvencione, etikën profesionale dhe konfliktin e interesit, menaxhimin e pronës komunale dhe ankandet, ndërmarrjet dhe organizatat komunale. Pra, këto kanë qenë kryesisht fushat në të cilat është dokumentuar që ne kemi dëshmuar performancë të mirë në ato që është kërkuar dhe në kuadër të transparencës komunale që kërkohet në bazë të legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe miratimin e shumë rregulloreve dhe dokumenteve tjera që janë bazë për transparencë përballë qytetarëve”, tha Nura.
Ai theksoi se në vitin 2021, kur komuna s’ka qenë e drejtuar nga ai, ka qenë në vendin e 15-të për sa i përket transparencës komunale.
“Me marrjen e qeverisjes, ne kemi gjetur një raport në të cilin komuna e Skenderajt për vitin e fundit, 2021, ka qenë e 15-ta sa i përket transparencës komunale. I kemi analizuar mangësitë që kanë qenë në atë kohë të qeverisjes dhe në të njëjtën kohë kemi marr rekomandimet, e kemi përmirësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm”, deklaroi kreu i komunës së Skenderajt, Fadil Nura.