Janë shtuar rastet e raportuara në Polici për identifikim të parave të falsifikuara.
Ditë më parë, Enver Ademit dikush i shkoi në market me 50 euro të falsifikuara, të cilat i vërejti pasi ato i kontrolloi paraprakisht.
“Po ka pasur tentim me ma lëshu paranë e falsifikuar, e kam marrë dhe e kam shikuar në këtë mënyrë, e kam parë që s’është origjinal i kam thënë nuk është për mu kjo”, tha Enver Ademi, shitës.
Në Kosovë ditët e fundit kanë filluar të qarkullojnë kartëmonedha dhe monedha metalike që dyshohet se janë të falsifikuara. Vendet ku po tentohen të kryhen pagesat me para të falsifikuara janë edhe pikat e karburanteve. Njëri nga menaxherët e një pike i tha RTK-së parapa kamerës se ditë më parë ka pranuar 500 euro të falsifikuara nga një person dhe se tashmë policia po merret me këtë rast, raporton televizioni publik i Kosovës.
Shpeshtimi i rasteve ka bërë që institucioni që merret me ekzaminimin e të hollave, Agjencia e Kosovës për Forenzikë, të rrisë punën.
“E kemi shenjën e ujorit e cila është shumë e rëndësishme ku vërehet se tek e falsifikuara nuk shihet fare”, thotë Feriz Selimaj, ekspert i forenzikës së monedhave.
Selimaj tregon se edhe te numrat serikë vërehet paraja e falsifikuar.
Pas përfundimit të ekzaminimit, ekspertët e agjencisë bëjnë edhe raportin të cilin më pas e merr hetuesi i policisë, i cili është marrë me rastin e që cilësohet vepër penale.
Sipas statistikave që i posedon Agjencia e Kosovës për Forenzikë, në tremujorin e vitit 2022 nga 200 raste që kanë pranuar, janë gjetur 60 kartëmonedha të falsifikuara.
Ditë më parë në raportin e policisë janë publikuar 14 raste për të cilat policia ka filluar hetimet ndaj personave që kanë deponuar para të falsifikuara në bankat e vendit, markete dhe pika të karburanteve e që ka pasur edhe të arrestuar.