Kryetari i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, Mehmet Kraja, ka dalur me një sqarim lidhur me vendimin për mos-shkarkimin e tij nga pozita e kryesuesit të Akademisë.
Derisa u raportua se Kraja ka kërkuar falje për analizën kontraverse që e kishte publikuar, ndaj edhe nuk është shkarkuar, ky i fundit e demantoi një gjë të tillë.
Ai tha se falje nuk ka kërkuar, por ka ekzistuar një kompromis.
“Ne mbledhjen e sotme te Kuvendit te Akademise nuk kam kerkuar falje dhe as e ka kerkuar dikush prej meje nje gje te tille. Duke mos pasur baze ligjore per te marre ne pergjegjesi kryetarin e Akademise, u poropozua nje kompromis, per te cilin eshte shprehur qarte akademik Isa Mustafa: “Z Kraja pas shumë diskutimeve u arrit pajtimi të vazhdojë në pozitën e Kryetarit të ASHAK. Përkushtimi do të jetë në bashkëpunimin më të ngushtë dhe në implementimin e programit të Akademisë”. Ky eshte kompromisi. Deklaratat tjera jane spekulime pa asnje peshe dhe vlere”, shkroi Kraja në Facebook.
Publikimi i analizës “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” në emër të Akademisë kishte nxitur reagime të shumta të anëtarëve të Akademisë dhe të publikut në përgjithësi. Kjo pasi analiza ishte një opinion i tij personal dhe nuk kishte marrë miratimin për t`u publikuar në faqen e Akademisë.
Në këtë publikim, Kraja kishte shprehur mendimet e veta, duke e publikuar si qëndrim të ASHAK-ut. Në këtë analizë, ai kishte kritikuar shumë figura publike në Kosovë, duke përfshirë edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.