Nuk shkoi që 5 javë në punë, Trepça ia shkëput kontratën një punëtori
Komisioni Disiplinor i Trepça Sh.A. ka marrë vendim për shkëputjen e marrëdhënies së punës me një punëtor të ndërmarrjes, pas konstatimit të një shkeljeje të rëndë të detyrave të punës.
Në një shqyrtim publik të mbajtur më datë 15 korrik 2025, Komisioni ka trajtuar rastin e z. F.M., i cili, sipas provave të administruara, nuk është paraqitur në vendin e punës që nga data 08 qershor 2025. Kjo mospjesëmarrje pa arsyetim bie ndesh me nenin 10, paragrafi 1, nënparagrafi 1.27 të Rregullores për Përgjegjësinë Disiplinore dhe Materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A., që sanksionon mungesën nga puna për 3 ditë pa arsye ose 5 ditë brenda 12 muajve.
Si rrjedhojë, me vendim nr. prot: 5894, datë 15.07.2025, Komisioni Disiplinor ka vendosur shqiptimin e masës disiplinore të shkëputjes së kontratës së punës për z. F.M.
Nga Trepça Sh.A. theksohet se respektimi i rregullave të brendshme mbetet thelbësor për ruajtjen e integritetit dhe funksionimit të ndërmarrjes.