Ramadan Morina, i dyshuar nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullsisë civile, është arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të së martës në Prishtinë.
Ai akuzohet për përfshirje në “Masakrën e Burimit” në Malishevë, ku në vitin 1999 ishin vrarë 42 civilë.
GAZETADEMOS dje solli me detaje rreth veprimtarisë së Morinës pas periudhës së luftës.
Morina kishte hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Bërnjak më 11 gusht, rreth orës 20:00, me një veturë të tipit “Audi Q5” me targa gjermane, e cila figuron në pronësi të djalit të tij. Në atë moment, ai nuk figuronte në listat për ndalim dhe kaloi pa probleme.
Pas pranimit të informacioneve nga strukturat përkatëse, hetuesit e Prokurorisë Speciale nisën ndjekjen e tij. Gjatë hetimeve, ata lokalizuan veturën në lagjen “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku më pas identifikuan edhe banesën ku ndodhej Morina në pronësi të vajzës së tij, të cilën po e vizitonte.
Operacioni i arrestimit u zhvillua rreth orës 05:00 të mëngjesit. Morina nuk iu bind urdhrit të hetuesve për arrestim, çka detyroi autoritetet të përdorin forcën për ta vënë nën kontroll. Ai u shoqërua në paraburgim për 48 orë.
Ndaj Morinës, ish-pjesëtar i UDB-së serbe në kohën e luftës, është caktuar seancë për masën e sigurisë, e cila pritet të mbahet të enjten në mëngjes.