” Nuk e përjashtoj mundësinë e zgjedhjeve të reja në mes të prillit”
Analisti politik Melazim Koci, ka folur për mundësinë që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, duke theksuar se një ngërç politik nuk pritet në çështjen e nënkryetarit të Kuvendit, por se dilemat mbeten te roli i presidentes.
Sipas Kocit, institucionet tashmë kanë vendime të qarta për disa çështje dhe ato pritet të zgjidhen pa pengesa.
“Sa i përket çështjes nëse do të ketë një ngërç politik, nuk mund të them se kjo mund të ndodhë te çështja e nënkryetarit, sepse tashmë kemi vendime dhe jemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Edhe kjo do të zgjidhet”, ka thënë ai.
Megjithatë, Koci u shpreh skeptik sa i përket rolit të presidentes dhe nuk e përjashtoi mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Jam pak skeptik te pjesa e presidentes dhe nuk e përjashtoj mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje”, ka deklaruar Koci.
Ai shtoi se, në rast të zgjedhjeve, Kuvendi paraprakisht do të miratonte buxhetin dhe disa marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.
“Paraprakisht Parlamenti do ta miratojë buxhetin dhe do të shkojmë në zgjedhje me një buxhet të miratuar dhe me marrëveshje ndërkombëtare të miratuara, përfshirë edhe referimin e mjeteve nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes”, ka theksuar ai në Tëvë1.
Duke folur për kandidatin për poste të caktuara politike, Koci tha:
“Unë mendoj që Vetëvendosje dhe opozita do ta gjejnë një kandidat konsensual, jo partiak, dhe që do të mund të votohet”, ka shtuar Koci.
Në fund, Koci tha se mbetet e paqartë nëse zgjedhjet do të shmangen.
“Nuk jam i sigurt që nuk do të shkojmë në zgjedhje të reja në mes të prillit”, përfundoi Koci.