Sekretari i Përgjithshëm i PSD-së, Nol Nushi, është ndaluar nga policia në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Për këtë ndalim ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, duke e cilësuar këtë veprim si përpjekje për lodhjen e aktivistëve dhe jo si akt të drejtësisë.
“Noli çdo ditë është në Prishtinë, banesë e zyrë. Si u bë që gjetën kufirin për ta penguar e arrestuar? Nga kush ky urdhër? Ky stil arrestimi ka vetëm një shpjegim: lodhja e aktivistëve. Kjo metodë gjithmonë këtë funksion ka pasur. Nuk bëhet fjalë për këmbënguljen e drejtësisë,” deklaroi Molliqaj. Sipas tij, Nushi është ndaluar për një rast të vitit 2016, kohë kur ishte aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, por ai vë në dukje se nuk ka raste të ngjashme ndaj aktivistëve aktualë të kësaj partie. “Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Nol Nushit, si dhe hetim të këtyre veprimeve arbitrare,” përfundoi Molliqaj në reagimin e tij.