Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit Amerikan, Brendan Hanrahan, ka nisur dje vizitën e tij zyrtare në Kosovë, ku u mirëprit nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati.
Gjatë qëndrimit të tij, Hanrahan zhvilloi një darkë pune me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në rezidencën e ambasadorit amerikan. Të dy diskutuan mbi zhvillimet aktuale politike në vend, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë.
Sot, vizita e zyrtarit të lartë amerikan vijoi me takime me përfaqësues të partive të ish-opozitës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se me Brendan Hanrahanin folën për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, teksa tha se ritheksoi përkushtimin e partisë për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve.
“Biseduam gjithashtu për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, si dhe për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, shtoi Krasniqi.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj shkoi në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, për të zhvilluar takim me zyrtarin e lartë të Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, ku bëri të ditur se theksoi rëndësinë strategjike të forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Republikës së Kosovës me SHBA-në, si dhe nevojën për të thelluar partneritetin në fushën e sigurisë.
Në Facebook, kreu i AAK-së tutje tha se Kosova mbetet e përkushtuar për anëtarësim të plotë në NATO, dhe mbështetja e SHBA-së është tepër e rëndësishme për këtë rrugë.
“Aleanca jonë më Amerikën është e përjetshme dhe e pathyeshme, ndërsa përkushtimi ynë si vend është i palëkundur për ta forcuar këtë aleancë çdo ditë”, përfundon Haradinaj.
Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës me zyrtarin e lartë u takua shefja e grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Hykmete Bajrami, e cila tha se gjatë takimit me Hanrahanin ndau shqetësimin për krizën e thellë institucionale, që sipas saj, po e paralizon vendin.
“Shpreha qëndrimin e LDK-së se Kosova ka nevojë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe demokratike, jo për tentime të njëanshme nga një parti që nuk ka shumicë”.
“Theksova se LDK nuk i bashkohet rrugëve që e çojnë vendin në qeverisje të papërgjegjshme dhe të dëmshme për raportet tona ndërkombëtare”, shkroi Bajrami.
Ajo shtoi se LDK-ja qëndron në anën e zgjidhjeve që forcojnë institucionet, ruajnë demokracinë dhe i shërbejnë interesit shtetëror.
Kujtojmë se pos Kosovës, ndihmëssekretari Hanrahan do të shkojë edhe në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë, duke rikthyer vëmendjen në Ballkanin Perëndimor në një moment kyç për rajonin.
Vizita synon forcimin e lidhjeve me ShBA-në dhe thekson rëndësinë që Uashingtoni po i kushton sërish zhvillimeve në Kosovë dhe më gjerë në rajon