Sherif Krasniqi, i cili ishte i ftuar në emisionin n’Demos, mes tjerash ka folur edhe për operativistët shqiptarë që bashkëpunuan me OZN-në dhe UDB-në, shkruan GazetaDemos.
Disa nga emrat që përmenden lidhur me këtë çështje edhe në librin e Krasniqit “Siguria dhe Sigurimi në Kosovë”, janë Mon Isuf Gashi, Mark Deliaj e Halil Lekaj nga Gjakova.
Në emisionin n’Demos, ai tha se të lartpërmendurit kanë qenë ndërmjetësues mes shërbimit të sigurimit dhe njerëzve tjerë.
“Këta të parët, janë qytetarë të cilët kanë qenë ndërmjetësues mes shërbimit të sigurimit edhe njerëzve të cilët janë thirrë për me i dorëzu armët. Këta kanë bashkëpunu me një malazez, ai i ka furnizu me armë dhe këta ju kanë shitë shqiptarëve”, u shpreh Krasniqi.
Tutje, ai rrëfeu edhe për shitjet e armëve në atë kohë.
“Thuhet se aso kohe ka ndodhë një pushkë me u shitë dhe stërshitë dhjetë herë. Është thirrë personi i caktuar me e dorëzu armën, nuk e ka pasë, ka dalë e ka ble, ia ka dorëzu shërbimit, shërbimi ia ka dhonë njerëzve, bashkëpunëtorëve të vetë, sikur janë këta për shembull”, vazhdoi Krasniqi.
Ndërkaq, i pyetur për figurat tjera, të përmendura në librin e tij, si Shaban Kajtazi, Rifat Iljazi, Mehmet Haskaj, Mustafë Lokaj, Krasniqi tha se nuk ka njohuri që kanë qenë pjesë e torturimeve ndaj shqiptarëve.
“Këta kanë qenë në punë aso kohe, janë punëtorë sigurisht shtetërorë, por nuk është e njohur që këta kanë marrë pjesë në torturime”, bëri të ditur ai.
Në anën tjetër, gjatë emisionit u fol edhe për torturat ndaj Fazli Grajqevcit, derisa është përmendur edhe likuidimi i Rexhep Malës.
“Fazli Grajqevci dhe Rexhep Mala janë likfidu jashtë protestave gjithëpopullore. Do të thotë ka pasë likfidime fizike, jo vetëm në protesta por edhe jashtë protestave”, deklaroi ai për emisionin n’Demos.
Tutje, ai bëri të ditur se në mesin e operativistëve shqiptarë, që kanë marrë pjesë në torturën e ndaj Fazli Grajqevcit janë Nazmi Kursani dhe Shaban Hyseni.
“Ata nuk janë dënu, kanë vazhdu punën”, tha ndër të tjera Krasniqi./GazetaDemos/