Kanë kaluar një 1 vit që kur Kosova ndodhet nën masa ndëshkimore nga Bashkimi Evropian. Ende nuk ka një datë të saktë se do t’i largohen këto masa. Përderisa Qeveria e Kosovës po bën thirrje vazhdimisht që këto masa të largohen nga Bashkimi Evropian po insistojnë se duhet të përmbushën kërkesat. Për këtë po presin një raport nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Ky raport është në prag të finalizmit, ka thënë për Insajderin zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano.
Stano ka theksuar se BE është e gatshme t’i largojë masat vetëm në rast se janë përmbushur kërkesat e parashtruara ndaj Kosovës.
“Raporti nuk është dorëzuar ende në shtetet anëtare të BE-së dhe ne kurrë nuk kemi shpallur një datë se kur do të bëhet saktësisht kjo. Në konkluzionet e 12 dhjetorit 2023, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme rikujtoi se BE-ja është e gatshme të heqë masat ndaj Kosovës në rast të përparimit të mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit 2023”, tha zëdhënësi i BE-së për Insajderi.
“Këshilli (= Shtetet Anëtare të BE-së) ftoi Përfaqësuesin e Lartë Borrell që të prezantojë një raport mbi përmbushjen nga Kosova të kërkesave të BE-së. Raporti është ende duke u finalizuar dhe së shpejti do t’u paraqitet Shteteve Anëtare në Këshill”, potencoi Stano.
Ndërkohë, sipas raportimeve Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, pritet që javën e ardhshme të dorëzojë raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.
Një raport të tillë nga shefi i diplomacisë së BE-së e kishin kërkuar vendet anëtare në mënyrë që të vlerësohet nëse janë pjekur kushtet që Kosovës t’i hiqen masat.