Një person iu hyri me veturë në parkun e Vitisë dhe i goditi – krejt çka dihet për rastin e rëndë si pasojë e të cilit vdiq 20-vjeçari

Mbrëmjen e 8 shtatorit, një sulm i rëndë u raportua të ketë ndodhur në parkun “Bafti Haxhiu” në Viti, ku një person i moshës 21-vjeçare me veturën e tij ka goditur disa karrige, e më pas ka goditur edhe pesë të rinj që po qëndronin aty, duke iu shkaktuar lëndime, raporton GazetaDemos.
Në mesin e të lënduarve ishte edhe 20-vjeçari, Auron Ferizi, i cili siç merr vesh Demos, gjatë mbërmjes humbi jetë pasi nuk mundi t’iu bëjë ballë plagëve.
Që nga momenti i aksidentit, Ferizi ndodhej në gjendje të rëndë, teksa u dërgua për trajtim intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar prindi, Arton Ferizi, i cili përmes një postimi, shprehu dhimbjen e madhe që po e përjetojnë.
“Zoti gjenet te shperbleft djali jem ike i ri nga kjo bote do me mungosh gjithe jete Auron pse ka ksi njerz te poshter qe te larguan nga kjo bote”, ka shkruar ai.
Përveç viktimës, trajtim mjekësor si rrjedhojë e këtij rasti kanë pranuar edhe katër të lënduarit e tjerë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetë.
Rastin në fjalë Prokuroria e ka cilësuar me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.
I dyshuari ka rënë në duart e Policisë, me çrast me vendim të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje.