Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë të pandehurit P. B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “VBrasje e mbetur në tentativë”.
I dyshuari, dje rreth orës 09:30, në një lagje të Gjakovës, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B., ashtu që për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, që ka vazhduar edhe ditën kritike, i pandehuri pasi takon të dëmtuarin fillimisht fjalosen në mes vete dhe për një moment ai nxjerr pistoletën e llojit “Sig Sauer” e kalibrit 9×19 mm, dhe shtënë në drejtim të dëmtuarit duke e qëlluar në pjesë vitale të trupit.
Si pasojë e lëndimeve të pësuara, i dëmtuari rrëzohet në tokë, më pas dërgohet në emergjencën e spitalit të Gjakovës, ku edhe i nënshtrohet operimit.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Ilir Rashkaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të rënda, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, i ndikimit në prova dhe rreziku i ikjes.
I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej tridhjetë ditësh, që do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 20 dhjetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 19 janar 2025.