Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim një personi për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Përmes një njoftimi në faqen e tyre zyrtare, thuhet se i njëjti më 15 shtator, në fshatin Llapushnik, ishte dakorduar të kryente vjedhje të pyllit, derisa në veturën e tij kishte armë të paautorizuar, raporton gazeta online Reporteri.net.
Po ashtu, bëhet e ditur që pas kontrollit nga Policia, i është sekuestruar një armë me dy karikatorë dhe 14 fishekë si dhe një thikë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 15.09.2024 rreth orës 02:20 në fshatin Llapushnik – Berishë, Komuna e Gllogocit, i pandehuri E.G i cili ishte duke vozitur veturën në pronësi të B.G, i shoqëruar me dëshmitarin L.K, me të cilin ishin dakorduar që të kryenin vjedhje të pyllit, pa autorizim ka mbajtur në pronësi, kontroll ose poseedim armën e zjarrit pistoletë TT M-57 dhe dy karikator dhe 14 fishekë të cilat i kishte mabjtur në brez si dhe armën e ftohtë – thikë me gjatësi 18 cm, të cilat pas kontrollit të njëjtat i janë sekuestruar nga zyrtarët policor, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose poseedim të pa autorizuar të armëve”, thuhet në komunikatë.
Tutje, Gjykata ka vlerësuar që caktimi i masës së paraburgimit është masë adeukate dhe e domosdoshme.