Sot janë bërë një muaj, që kur Policia e Kosovës në orët e para të mëngjesit të dielës së 24 shtatorit, u sulmua me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë nga terroristët serbë ku si pasojë e gjuajtjeve mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.
Një muaj pas këtij sulmi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të gjitha faktet dëshmojnë përfshirjen e vetë shtetit serb në këtë akt agresioni, që për qëllim kishte një pushtim më të madh.
Kurti ka thënë se Kosova si shtet po përpiqet të ndërtohet mbi baza demokratike, ndërsa Serbia po mundohet ta ndalë përparimin.
“Përtej çështjeve historike, rajoni verior i Kosovës, është shfrytëzuar si qendër për trafikun e drogës, kontrabandën e armëve dhe minierat e kriptomonedhave. Këto aktivitete bien ndesh drejtpërdrejt me sundimin e ligjit dhe vlerat demokratike që përfaqëson Kosova. Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë mund të karakterizohet më së miri si një vend, Kosova, që punon për të ndërtuar veten për herë të parë, duke u përpjekur për sukses të vërtetë demokratik, ndërsa një vend joliberal përpiqet ta mbysë këtë progres, duke përdorur taktika të përdorura shpesh nga figura si Putini.
Më 24 shtator, një muaj më parë, agresioni që pamë kulmoi kur trupat e armatosur paraushtarake që ishin trajnuar në bazat zyrtare ushtarake në Serbi hynë në vendin tim dhe hapën zjarr ndaj forcave të policisë, duke vrarë një nga policët tanë. Në të njëjtën kohë, Serbia u angazhua në atë që SHBA e përshkruan si një ngritje ushtarake “të paprecedentë” përgjatë kufirit tonë. Në ditët që pasuan, një sasi e konsiderueshme provash tregonin përfshirjen dhe planifikimin e një pushtimi më të madh nga vetë shteti. Ky fakt ishte i vetëkuptueshëm, pasi asnjë grup civilësh nuk mund të grumbullonte armë të tilla dhe t’i transportonte ato përtej kufijve pa të paktën mbështetjen e heshtur të një qeverie. Agresioni pushoi jo për shkak të dëshirës për t’u tërhequr, por për shkak se ishte manovruar strategjikisht. Që atëherë, ne kemi mbetur të pyesim për vazhdimet e mundshme të këtij sulmi”, u shpreh sot Kurti.
Kryeministri tha se kërcënimi i vendeve autoritare për Evropën nuk është thjesht ideologjik.
“Kërcënimi i vendeve autoritare për Evropën nuk është thjesht ideologjik dhe ne duhet ta trajtojmë atë si të tillë. Fqinji ynë verior vazhdon ngritjen e tij ushtarake, madje duke marrë furnizime nga burime të reja, duke përfshirë një dërgesë të fundit nga Kina. Koha aktuale nuk është koha për t’u ulur duarkryq”, u shpreh Kurti sot nga Greqia.
Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Edhe kryeministri Kurti, edhe presidentja Osmani kanë kërkuar vazhdimisht që Serbia të sanksionohet dhe ndëshkohet nga ndërkombëtarët.
Ndërkaq, emisarët perëndimorë i kërkuan Beogradit gjatë takimeve të së shtunës që të bashkëpunojë plotësisht në hetimin rreth rastit të Banjskës.
Por, në anën tjetër, Bashkimi Evropian nuk po bindet t’i vendosë sanksione Serbisë.
Bashkimi Evropian po thotë se hetimi është në duart e Policisë së Kosovës të cilët po bashkëpunojnë me EULEX-in.
Për të dënuar sulmin në Banjskë, javën e kaluar Parlamenti Europian miratoi një rezolutë, ku kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë.
Eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësojnë atë “të rrezikshme.” Rezoluta në fjalë thekson se autorë të sulmit terrorist janë “para ushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”
Rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit ta dënojnë atë.
Ajo thekson që “marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun Serbi-Kosovë. Kjo marrveshje duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar 2024.”