Policia e Kosovës ka njoftuar se së fundmi ka rastisur në një rast kallëzimi të rrejshëm në komunën e Ferizajt, pasi një person, tha se dikush ia vjedhi veturën e tij “Audi Q8” në vlerë prej 130 mijë euro, raporton GazetaDemos.
Ankuesi me inicialet R.E, i moshës 55-vjeçare është shtetas i Maqedonisë së Veriut me banim në Gjermani.
Siç njofton Policia, në shqyrtimin e kamerave të sigurisë u vërejt se ankuesi nuk kishte qenë fare me veturën e deklaruar, kështu me çras ngriti dyshime të arsyeshme për kallëzim të rremë.
“Dyshohet se qëllimi i këtij veprimi ka qenë keqpërdorimi apo mashtrimi i sigurimit, të lëshuar nga autoritetet gjermane”, thuhet ndër tjera në njoftimin e PK-së.
I njëjti është ftuar për intervistim, por ende nuk është paraqitur në organet e rendit.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, hetuesit policorë kanë kërkuar mbështetje nga autoritetet gjermane dhe ato të Maqedonisë së Veriut për lokalizimin e veturës dhe zbardhjen e plotë të rastit”.