Pas dy javësh, më 24 qershor, votuesit e Partisë Demokratike në New York do të zgjedhin kandidatin e kësaj partie për kryetar bashkie të njërit prej qyteteve më të mëdha në Amerikë.
Demokratët do të kenë mundësinë të votojnë për njërin nga nëntë kandidatët, ndërsa favorit është ish-guvernatori i shtetit federal New York, Andrew Cuomo, ku sondazhet thonë se ka 40 për qind të mbështetjes tek votuesit e partisë.
Megjithatë, personi që mund të konsiderohet fituesi më i madh i fushatës paraprake është Zohran Mamdani, përfaqësues në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të shtetit federal New York.
Ai është përfaqësues i grupit progresiv të “socialistëve demokratë”, i cili në nivel kombëtar udhëhiqet nga senatori Bernie Sanders dhe përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez.
Mamdani është imigrant, i lindur në Ugandë, dhe u zhvendos në SHBA në vitin 1998, kur ishte shtatëvjeçar. Para kësaj kishte jetuar edhe në Afrikën e Jugut, shkruajnë mediat.
Ai u bë yll në TikTok kur gjatë fushatës paraprake, si i vetmi nga kandidatët e Partisë Demokratike, tha se udhëtimi i tij i parë jashtë New Yorkut, nëse fiton postin e kryebashkiakut, nuk do të jetë në Izrael.
Pas kësaj, pasuan pyetje të shumta nga moderatori që nënkuptonin se Mamdani “nuk mbështet shtetin e Izraelit”, por ai me përgjigjet e tij se do të “shërbejë qytetarët e New Yorkut”, fitoi me tërësi zemrat e publikut, sidomos të rinjve.
Ai ka shfrytëzuar popullaritetin në rrjetet sociale, ku po zhvillon fushatën e tij, duke theksuar se nuk e mbështesin donatorë të mëdhenj, dhe se financon fushatën me një donacion mesatar prej vetëm 80 dollarësh.
Mamdani u paraqit kështu si një anti-tezë ndaj Cuomos, i cili mbështetet nga donatorë të pasur, ndërsa kundërshtari i tij më i madh shpesh thekson se “atë e mbështesin të njëjtët miliarderë që financuan fushatën e Donald Trumpit”.
Ai pati edhe një moment viral tjetër, kur u quajt “Ëndrra më e keqe e Trumpit,” sepse është “një imigrant mysliman progresiv që me të vërtetë lufton për atë në të cilën beson”.
Me idetë progresive, Mamdani konsiderohej absolutisht si ‘autsajder’, por sipas sondazheve, tani është favoriti i dytë pas ish-guvernatorit të New Yorkut, i cili u largua nga posti për shkak të një skandali seksual.
Edhe pse pritej që Cuomo të fitonte me mbi 50 për qind të votave dhe kështu të evitonte raundin e dytë, rritja ‘meteoritike’ e Mamdanit në sondazhe sugjeron se në zgjedhjet e brendshme demokratike do të ketë një raund të dytë votimi, ku Mamdani sheh shansin e tij.
Kushdo që të zgjidhet, do të përballet me kryebashkiakun aktual Eric Adams, i cili dikur ishte në Partinë Demokrate, por tani kandidon si i pavarur, si dhe me Curtis Silwan, kandidatin e Partisë Republikane.
Edhe pse është e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë më 24 qershor kur votuesit demokratë dalin në raundin e parë të votimit, është e qartë se Mamdani, i cili ka 33 vjet, mund të ndërtojë nga kjo fushatë edhe një karrierë të ardhshme politike.