Një 57-vjeçare kineze në Durrës gjendet e pajetë në një taksi

Një grua 57-vjeçare me shtetësi kineze është dërguar pa shenja jete në Spitalin Rajonal të Durrësit, mbrëmjen e kësaj të shtune. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, e ndjera është gjetur në një taksi në zonën e Urës së Dajlanit.
Ende nuk dihet kush e ka transportuar gruan drejt spitalit, ndërsa rrethanat e vdekjes së saj mbeten të paqarta. Policia ka bërë me dije se po vijojnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe mënyrën e ndodhjes së ngjarjes.
“Spitali Rajonal Durrës ka njoftuar se është dërguar pa shenja jete një shtetase 57-vjeçare me shtetësi kineze, e cila është gjetur në një taksi, pranë ‘Urës së Dajlanit’”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Grupi hetimor është në terren dhe po punon për këqyrjen e trupit të viktimës, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.