Ka nisur seanca fillestare pas kthimit në rigjykim të rastit ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin e mbi 2 mijë bimëve narkotike e 32 kg marihuanë.
Gjykata e Apelit javën e kaluar kishte anuluar vendimin e Themelores në Prishtinë, kundër Fethi Uygur, Alajdin Ramadani, Filip Mishevski, Erol Marku, Alban Maloku, Ertan Daçiq dhe Milazim Voci, lidhur me kultivimin e 2059 bimëve të llojit kanabis sativa, si dhe 32 kilogramëve substanca tjera të narkotikëve, duke e kthyer rastin në rigjykim.
Me 2 maj 2024, Departamenti Special në Prishtinë kishte shpallur fajtorë të akuzuarit duke i dënuar me 28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë
Fethi Uygur i nacionalitetit turk, Alajdin Ramadani e Eroll Marku, shqiptarë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Filip Mishevski, po ashtu nga Maqedoni e Veriut, sikurse edhe boshnjaku Ertan Dacic dhe Alban Maloku e Milazim Voci shtetas të Republikës së Kosovës, janë personat që po dyshohen për kultivim të substancave narkotike.
Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në nëntor 2022, kishte ngritur aktakuzë për krim të organizuar, me pretendimin se që nga koha e pacaktuar e deri më 16 shkurt 2022, duke vepruar si grup i organizuar, nën udhëheqjen e Fethi Uygur, kanë kultivuar hashash në laboratorin brenda objektit Mulliri “Voci 1”, në fshatin Shirokë, të komunës së Suharekës.
Substancat narkotike, sipas Prokurorisë Speciale në aktakuzën e ngritur tregonte se të akuzuarit i kishin mbjellë e kultivuar në katin e shtatë të këtij objekti, më konkretisht në katin e fundit të objektit.
Si u gjetën bimët narkotike në katin e fundit të mullirit në Shirokë të Suharekës
Më 16 shkurt të vitit të kaluar, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit në këtë objekt ishte zbuluar vendi ku prokuroria pretendon se është bërë kultivimi i këtyre bimëve narkotike, dhe atë saksi-vazo ku ishin mbjellë 2,059 bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, si dhe rreth 32 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes.
Fillimisht, me 4 shkurt 2022, Policia e Kosovës kishte marrë informacionet e para për zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme e pastaj me 14 shkurt janë zhvilluar masat e fshehta, ku është identifikuar lokacioni i laboratorit. Pas këtyre, Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar urdhër kontroll me c’rast të pandehurit janë kapur në flagrancë duke kultivuar lëndë narkotike, e cila me vendim të gjykatës është shkatërruar.
Prokuroria Speciale në aktakuzën ndaj 7 të dyshuarve pretendon se nga raporti i hyrje- daljeve të kufirit i 3 marsit 2022, është vërtetuar se të pandehurit kanë udhëtuar bashkë dhe nga incizimi i hyrjes së banesës ishin identifikuar të pandehurit dhe disa persona të tjerë duke hyrë në këtë banesë.
Menjëherë të akuzuarit ishin arrestuar në vendin e ngjarjes, gjatë aksionit.