Nis seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në Vushtrri, Sllagjan Trajkoviq – dëshmon Sadat Gashi
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në fshatin Reznik të komunës së Vushtrrisë, Sllagjan Trajkoviq.
Në këtë seancë po jep dëshminë e tij dëshmitari, Sadat Gashi.
Gashi gjatë vitit 1999, ka qenë i burgosur, dënim të cilin e ka kryer kryesisht në burgun e Smrekonicës.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Sllagjan Trajkoviq dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Po ashtu, ai dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
“Duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë”- thuhet në dosjen e prokurorisë.