Lojtari 17-vjeçar i Prishtinës, Igball Jashari, njëherësh nipi i heroit legjendar, Adem Jashari, para disa ditësh debutoi me Prishtinë në Kupën e Kosovës, ku edhe shënoi gol nga pika e bardhë, në fitoren 6-0 ndaj Vushtrrisë, duke kaluar në finale.
Jashari tha se është një ndjenjë shumë e mirë që në moshën 17-vjeçare të shënojë gol për Prishtinën.
“Falënderoj trajnerin Debatik Curri që ma besoi goditjen nga penalltia”, tha Igballi në eimisonin Sports Show.
Jashari shtoi se prej shkuarjes në klubin e Prishtinës, lojtarët e tjerë e kanë pritur mjaft mirë.
“Jam mjaft i lumtur për kontributin që e kam dhënë, jemi në finale me një ekip të mirë siç është Gjilani. Por mendoj se do të kemi një rezultat pozitiv”.
Pasardhësi i familjes Jashari po ashtu tha se synon që në vitin tjetër, kur të bëhet 18-vjeç, bashkë me Prishtinën të bëhet kampion.
“Kam ëndërr që vitin tjetër, në 18-vjeç, të bëhem kampion i Kosovës”.
Ai po ashtu tha se skuadra e zemrës së tij është Real Madridi dhe se ëndrra e tij është që një ditë të luajë për ta, ndërsa lojtari favorit i tij është Kylian Mbappe.
Nipi i Adem Jasharit foli edhe për punën si kapiten në kombëtaren e Kosovës, për çka tha se është një ndjenjë e papërshkrueshme të luash për vendin tënd.