Bilall Sherifi nga NISMA, ka komentuar deklaratat e Kurtit, ku i quajti ‘nomadë’ deputetët e opozitës.
Sherifi në Pressing tha se ‘Kurti është ngucakeq’.
“Populli e ka një shprehje të mirë që e përshkrun këtë situatë, Zoti Kurti është ngucakeq, s’munet me nejt pa u nguc. Atë deklaratën që e ka pas thënë në fillim, mendoj që nuk ka qenë aksidentale, por ai e ka pas bindjen që përmes diasporës do ta mbyll lojën”, tha Sherifi.
Tutje, ai tha se nëse Kurti nuk e mban marrëveshjen me Fatmir Limajn, atëherë do të duhet të gjejë edhe 4 mandate tjera.
“Kjo e tashmja më shumë reflekton nervozën që ka për shkak të pamundësisë për të gjetë edhe një deputet. Nesë e mban marrëveshjen me Limajn, ta zgjedh kryetar të Kuvendit, atëherë janë 60 mandate, pra i nevojitet edhe një për të ecur përpara. Nëse nuk i qëndron në parim kësaj marrëveshje, atëherë ka telashe me 4 mandate”, tha ai.
Sherifi foli edhe për takimin që pati Limaj me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të cilin tha se ishte takim konstruktiv.
Ai tha se nuk mund të japë më shumë detaje, por shton se ka pasur biseda interesante mes të dyve.
“Abdixhiku e ka ftu, kanë kalu mirë. Kanë shprehur shqetësimet për zhvillimet në Kosovë dhe kanë biseduar për mënyrën se si mund të ecet përpara. Nuk mund të jap detaje, kanë pasur disa biseda interesante, që ju mbetet atyre të dyve (Limajt dhe Abdixhikut) të bëjnë publike se për cka mund të merren vesh në të ardhmen. Mund t’ju siguroj që takimi ka qenë shumë konstruktiv”, tha ai.