Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit M.A., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 15 tetor 2024, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” si dhe “mbajtje të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në mesnatën e 17 dhe 18 qershorit 2022, në zonat malore pranë fshatit Vërmicë në Prizren.
Prokuroria pretendon se i pandehuri, i armatosur me një pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, ka qëlluar viktimën, shtetas irakian me qëllim eliminimi të grupit kundërshtar dhe sigurimit të përfitimeve materiale nga aktiviteti kriminal.
“M.A., më dt. 17-18.06.2022, në kohë të pacaktuar, në rrugët malore në afërsi të fshatit Vërmicë në Prizren, pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të grupit të tij dhe grupit të të ndjerit J.H.– shtetas Irakian lidhur me kontrabandimin e migrantëve Sirian në territorin e Kosovës duke vepruar i armatosur me dashje privon nga jeta të ndjerin J.H. duke shtënë me armë pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, në drejtim të të ndjerit, ku sipas konkluzionit të autopsisë MA-22-193, të Dr.Naim Halitit, vdekja e të ndjerit është e dhunshme dhe ka ardhur si rrjedhojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme si pasojë e rupturës së mushkërisë së majtë të shkaktuar nga predha e armës, po ashtu, me këtë rast gjatë të shtënave me armë ka vë në rrezik edhe jetën e personave tjerë migrantë te cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin në bjeshkët e fshatit Vërmicë, e gjithë kjo me qëllim të eliminimit të grupit të të ndjerit dhe përfitimit të dobisë pasurore lidhur me kontrabandimin e migrantëve, ku pas ekzaminimit të telefonit të akuzuarit janë gjetur fotografi, video-incizime të vrasjes të ndjerit në vendin e ngjarjes si dhe nga transkriptimi i bisedave të zhvilluara në rrjetin social “Whats app” në bazë të komunikimit me personin e tretë N.N., e pranon se e ka vrarë njërin nga grupi i kurdëve, Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Po ashtu i njëjti ka poseduar pa leje valide armën – pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm,, me të cilën ka privuar nga jeta të ndjerin J.H. gjë që është parë nga gëzhojat e gjetura në vendin.
“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.