Raportimet se ngjyra matrikuluesve që po u vendoset në gishtërinj votuesve po fshihet pas kohë pas votimit, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se do të analizohet “në një fazë të mëvonshme”.
Ai tha se kjo “nuk është e vetmja masë e sigurisë që përdoret nga KQZ për të garantuar procesin e votimit”.
“Gjatë ditës së sotme kemi pranuar informacione, qoftë përmes mediave apo edhe drejtpërdrejt nga qytetarë që ngjyra matrikuluese e cila vendoset në gisht po shlyhet pas një kohe të shkurtër. E para, ecuria e gjithmbarshme e procesit zgjedhor, përfshirë edhe këto çështje, do të jenë pjesë e analizës së KQZ-së në një fazë të mëvonshme lidhur me përgatitjet që janë bërë dhe sfidat me të cilat jemi ballafaquar. E dyta, shenja që vendoset në gishtin e një votuesi nuk është e vetmja masë e sigurisë që përdoret nga KQZ për të garantuar procesin e votimit”, tha Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së tha se nënshkrimi ia pamundëson një votuesi që të votojë për herë të dytë.
“Të gjithë personat që votojnë, siç e keni parë edhe ju nëse keni votuar deri më tani, duhet që pasi të identifikoheni në vendvotim përmes dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës duke konfirmuar se po marrin pjesë në votim. Dhe ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi që të vijë dhe të votojë sërish. Përveç kësaj, edhe vendosja e kamerave në vendvotime i shërben gjithashtu ruajtjes së integritetit të procesit të votimit, sepse dyshimet për keqpërdorime eventuale, qoftë edhe për votim të dyfishtë, vërtetohen lehtësisht”.