Komuna e Malishevës përmes një njoftimi për media ka thënë se stuhia e shoqëruar me breshër gjatë ditës së diel, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një pjesë të Komunës së Malishevës.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se “si pasojë e stuhisë, janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore, serrat dhe të mirat tjera materiale, por fatbardhësisht pa dëme në njerëz”.
Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, sot, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, me kërkesën edhe të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e ka vizituar fshatin Plloqicë, ku edhe janë shënuar dëmet më të mëdha nga stuhia.
Në emër të kryetarit Kastrati, drejtori Dukolli, ka shprehur keqardhjen për dëmet që u janë shkaktuar bujqve, dhe ka thënë se “do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve, e në veçanti pranë bujqve e fermerëve, të cilët janë dëmtuar rëndë gjatë ditës së djeshme”.
Drejtori Dukolli, bashkë me zyrtarët përgjegjës të drejtorisë për bujqësi, i kanë vizituar disa nga fermerët e dëmtuar. Familjen e Shkumbin Malokut, të cilit breshëri e stuhia, i ka dëmtuar rreth 80 ari serrë dhe Hashim Malokun, të cilit gjithashtu stuhia, ka dëmtuar në tërësi serrën.
Komuna e Malishevës bën të ditur se, përveç dëmeve të rënda në serrat e tyre, në tokë shihej breshëri i rënë gjatë ditës së djeshme, e që ende nuk është shkrirë dhe krahas serrave dhe pemëve, breshëri e stuhia i ka dëmtuar në masë të madhe edhe kulturat tjera, si grurin e pa korrur dhe misrin.
Drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, ka bërë të ditur, se menjëherë është aktivizuar komisioni i cili do bëjë vlerësimin e dëmeve, varësisht nga kërkesat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët e kanë njoftuar komunën, për dëmet në të mbjellat e tyre.