Edicionit 2022/2023 në Superligën e Kosovës në futboll po i vije fundi dhe deri në finish të saj kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar. Lufta për titull, vendet që dërgojnë në Evropë dhe mbijetesë vazhdojnë të jetë e hapur me skuadrat që po luftojnë për të arritur objektivat e tyre.
Kur kampionati po shkon drejt fundit, natyrisht skuadrat janë në presion të madh të pikëve dhe nevoja për to është e madhe në secilën javë që zhvillohet.
Nevoja e klubeve të Superligës së Kosovës në këtë fazë të fundit të kampionatit është për mbështetje të madhe në tribunat e stadiumeve përkatëse nga tifozeritë e tyre.
Katër nga 10 klube sa janë pjesë e elitës së futbollit kosovar kanë marrë vendim që të hapin dyert e stadiumeve për tifozët pa pagesë, vetëm e vetëm të mbushin shkallët e tribunave dhe t’iu ofrojnë përkrahje futbollistëve të klubeve të tyre respektive.
Njëra prej katër klubeve që ka marrë këtë vendim është edhe kampioni në fuqi Ballkani që ka hasur në një garë të ngushtë për mbrojtjen e titullit kampion me Dritën e Gjilanit.
“Frika” nga humbja e titullit në fund të edicionit mund të jetë një nga arsyet e suharekasve që kanë marrë këtë vendim.
Bileta në Suharekë në të shumtën e rasteve ka qenë 3 euro për person, ndërsa nga ndeshja e të enjtes me Prishtinën tifozët janë të liruar nga pagesa.
“Të enjten me fillim nga ora 15:00 të gjitha rrugët e qytetit të Suharekës kanë vetëm një destinacion, atë të stadiumit të qytetit. Hyrja është falas, nuk ka arsye për mungesë” – thuhet në njoftimin e Ballkanit në faqen zyrtare të publikuar një ditë më parë.
Veprim të ngjashëm me “portokallezinjtë” kanë marrë edhe Dukagjini i Klinës, veçse këta të fundit një hap të tillë e kanë ndërmarrë disa ditë më parë.
Hyrja në stadiumin “18 Qershori” në Klinë ka qenë pa pagesë për tifozët në ndeshjen e kaluar kundër Ballkanit.
Një ditë më parë, tifozëve ua dha lajmin e mirë edhe Malisheva. Këta të fundit njoftuan zyrtarisht se ishte një person që paguajti gjitha biletat për tifozët për ndeshjet e mbetura të klubit nga “Liman Gegaj”.
“Z. Ilir Limaj paguan të gjitha biletat për tifozët të cilët do të ndjekin ndeshjet e mbetura të këtij sezoni, nesër ndaj Trepçës 89, me 14 maj ndeshja ndaj Prishtinës dhe ndeshja e fundit e sezonit ajo me Llapin e cila luhet me 28 maj” – thuhet në njoftimin e Malishevës.
Ndërkohë, të mërkurën gjatë ditës, Llapi me anë të një njoftimi bëri të ditur se në sektorin e tifozëve ultras të skuadrës biletat do të jetë falas.
“Ju njoftojmë se për ndeshjen e vlefshme ndërmjet Llapit e Dritës që do të zhvillohet nesër nga ora 15:00 në Stadiumin “Zahir Pajaziti”, hyrja në tribunën Veri do të jetë falas” – bën të ditur Llapi.
Në shumicën e stadiumeve në Kosovë çmimi i biletave thuajse është i njëjtë.
Dy euro kushton bileta në një pjesë të madhe të stadiumeve kosovare.