Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se fitorja në përballjen ushtarake me Iranin përfaqëson një moment historik për sigurinë e Izraelit dhe një mundësi të rrallë për paqe në Lindjen e Mesme.
Në një video-mesazh të publikuar në hebraisht, Netanyahu e cilësoi zhvillimin si “një fitore të madhe që mund të hapë rrugën për marrëveshje të reja paqeje me vendet arabe.”
“Zoti do t’i japë forcë popullit të tij, Zoti do ta bekojë popullin e tij me paqe,” u shpreh ai.
Netanyahu tha se qeveria izraelite është duke punuar intensivisht në këtë drejtim diplomatik, duke e parë këtë si një dritare unike për të zgjeruar marrëveshjet e Abrahamit.
“Ne luftuam fort kundër Iranit dhe fituam një fitore të madhe. Kjo fitore hap një mundësi historike për një zgjerim të konsiderueshëm të marrëveshjeve të paqes,” deklaroi ai.
Kryeministri theksoi se paralelisht me përpjekjet për paqe, prioritet mbetet edhe lirimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe shkatërrimi i këtij grupi.
“Së bashku me lirimin e pengjeve tona dhe mposhtjen e Hamasit, ekziston një dritare mundësie që nuk mund ta humbasim. Nuk mund të humbasim asnjë ditë të vetme,” përfundoi Netanyahu.