Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Prizren, ku një punëtor i një kompanie ka humbur jetën pasnjë kontakti me rrymën, shkruan Gazeta Demos.
Mediat lokale të Komunës së Malishevës, bëjnë me dije se viktima në fjalë është Visar Ramaj rreth 34 vjeçar.
I ndjeri ishte duke punuar në Piranë të Prizrenit, ku edhe ndodhi ngjarja.
Lajmin për Gazetën Demos e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Ai tha se viktima është nga Seniku i Malishevës.
Bytyqi shtoi se dje viktimën e kishte zënë rryma dhe sot janë njoftuar nga Spitali i Prizrenit se i njëjti ka vdekur.
“Me datën 12.10.2024, rreth orës 10:00 policia është informuar se një person mashkull (V.R. 34 vjeç, nga Seniku i Malishevës), kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal në Prizren, patrulla policore ka shkuar në emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, aty nga mjekët dhe dëshmitarët është informuar se viktima është në gjendje të rëndë shëndetësore. Dyshohet se viktima gjatë kohës që ishte duke punuar në ndërtimtari në fshatin Piranë, Prizren kishte rënë në kontakt me rrymën elektrike”, ka thënë Bytyqi.
34-vjeçari do të varroset nesër më 14 tetor 2024, në ora 16:00, në varrezat e lagjes Ramaj, në Malishevë.