Nëna e Astrit Dehari, Xhemile Dehari, ka kërkuar nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, që të mos e përdorin rastin e djalit të saj për qëllime politike.
Ajo në Debat Plus, së pari e ka përmendur deputetin Haki Abazi, për të cilin tha se për problemet e tij me VV-në e ka përdorur emrin e Astrit Deharit.
“Haki Abazi, e përmendi Astritin për zhdukjen e mostrave, dhe tha i kam incizimet, janë vjedhur disa epruveta. Mendova që doli një njeri që po na tregon diçka të re. Nuk tha asgjë. E kish përdor rastin e Astritin për problemet e veta që i kish pas me VV-në. Problemet që i kanë, a me VV-në, jo ta përdorin rastin e Astritit”, ka thënë ai.
Ajo foli edhe për deputeten e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, për të cilën tha se nuk i takon ta përdor politikisht emrin e djalit të saj.
“Pastaj, reagimin e LDK-së, e morën rolin e Sylë Hoxhës së 2016. Po flas për Doarsa Kicën. Asaj vajze i kisha thënë se shumë herët ka nisë, por ajo ka shku në LDK. Sylë Hoxhën, pasi u pensionu e futën në listën e LDK-së. Ajo është juriste dhe i di mirë gjërat, por mos të luajë për rastin e Astritit, nuk i takon dhe nuk ia kem borxh ta bëjë atë”, ka thënë ajo.
Në fund ajo e përmendi edhe deputetin e PDK-së, Hisen Berisha fjalimi i të cilit sipas saj do të thotë se PDK ende e ka në dorë prokurorinë.