Kryeministri Edi Rama po synon ndërtimin e një shteti në stilin e Vatikanit për bektashinjtë në Shqipëri, si formë e promovimit të tolerancës fetare. Kleriku mysliman që po përgatitet ta udhëheq – nëse gjithçka shkon sipas planit – duke folur për “New York Times” ka shpalosur planet për shtetin e ri të vogël.
Shteti i shpresuar mysliman në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, pritet të jetë një enklavë sovrane e stilit të Vatikanit që do të kontrollojë një territor me madhësi të pesë blloqeve të qytetit të Nju Jorkut dhe do ta lejojë alkoolin, do t’i lejojë gratë të veshin çfarë të duan dhe të mos vendosin rregulla të silit të jetesës.
“Zoti nuk ndalon asgjë; prandaj na dha mendjen.” – tha kleriku Edmond Brahimaj, i njohur nga ndjekësit si Baba Mondi, duke shpjeguar se si synon të sundojë mbi një copë toke prej 27 hektarësh që Shqipëria dëshiron ta kthejë në një shtet sovran me administratën e saj, me pasaporta dhe kufij.
Duke folur në lidhje me këto plane, kryeministri Edi Rama ka thënë se do t’i zbulojë në një të ardhme të afërt, dhe se do të quhet “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”.
Rama ka thënë se synon që shteti i ri të promovojë një version tolerant të islamit me të cilin Shqipëria krenohet.
“Ne duhet të kujdesemi për këtë thesar, që është tolerance fetare dhe nuk duhet ta marrim asnjëherë për të mirëqenë.” – ka thënë ai.
Territori i shtetit të ri islamik të propozuar është një kompleks në një lagje banimi me qira të ulët në Tiranën lindore. Është vetëm një e katërta e madhësisë së qytetit të Vatikanit, aktualisht vendi më i vogël në botë, i qeverisur nga Papa, një monark absolut.
Baba Mondi tha se “madhësia nuk ka rëndësi”, duke shtuar, “Unë nuk kam nevojë të jem diktator”, megjithëse pranoi se i vetmi kufizim domethënës në autoritetin e tij do të jetë Zoti.
“Vetëm Zoti.” – tha ai, “nuk bën gabime.”
Sipas “NYT”, një ekip i ekspertëve ligjor, duke përfshirë avokatë ndërkombëtarë, janë duke hartuar legjislacionin që definon statusin e shtetit të ri sovran brenda Shqipërisë. Kjo, duhet të përkrahet nga Parlamenti, i kontrolluar nga partia e Ramës, Partia Socialiste. Nuk dihet ende, nëse ka ndonjë, shtet që do ta njoh sovranitetin e Bektashinjve.
Deri më tani, Rama, një katolik jopraktikues i kësaj feje, ka thënë se vetëm bashkëpunëtorët e tij të afërt e dijnë planin dhe se aleatët në NATO si Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë konsultuar.
Një shtet që ka shumë pak gjasa ta njohë, është Irani, i cili kryesisht ka shumë ndjekës të fshehtë të islamit sufi, duke përfshirë disa bektashinjë
“Sinqerisht, iranianët janë mendimi i fundit.” – ka thënë Rama, duke përmendur se Shqipëria ka shkëputur marrëdhëniet diplomatike në vitin 2022.
Në anën tjetër, Baba Mondi ka thënë se shtetit të ri mund t’i nevojitet një shërbim i intelegjencës, pasi siç është shprehur ai, “edhe ne kemi armiq”, por nuk do të ketë ushtri, roje të kufijve apo gjykata.
Detaje të tjera, si ato rreth pasaportave, pritet të vendosen dhe të punohet rreth tyre. Megjithatë, ai ka thënë se pasaporta do ta ketë ngjyrën e gjelbërt, një ngjyrë e rëndësishme kjo në islam.
Të përkushtuar në qetësimin, e jo nxitjen e tensioneve, siç shkruan mediumi i njohur, shteti i ri është zotuar që mos të bëjë asnjëherë përpjekje për ta zgjeruar territorin.
Nuri Ceni, një historian bektashi, e ka përshëndetur ofertën e shtetësisë, si një “dhuratë jashtëzakonisht të rëndësishme”.
“Jemi kundër të gjitha formave të ekstremizmit që sot janë shumë të rrezikshme.” – ka thënë ai.
Në fund, shkruan se kryeministri Rama e ka pranuar që krijimi i një shteti sovran islamik brenda Tiranës do të marrë kohë.
Ndoshta të gjithë do të thonë: “Ky djalë është i çmendur”.
“E kanë thënë edhe më parë shumë herë. Nuk shqetësohem. E rëndësishme është se, i çmendur ose jo, të luftohet për të mirën.” – ka thënë ai në fund