Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, mori pjesë në ceremoninë zyrtare me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ai mori pjesë me ftesë zyrtare të senatores Jessica Scarcella-Spanton dhe anëtarit të Asamblesë Charles D. Fall.
Ndër tjera, shtohet se gjatë ceremonisë theksoi se Policia e Kosovës është falënderuese për përkrahjen e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Policinë e Kosovës që nga themelimi.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe shërbimit ndaj qytetarëve pa dallim. Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në, ka qenë jetik në ndërtimin e një force profesionale që gëzon besimin e qytetarëve dhe kontribuon për sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Hoxha gjatë qëndrimit në New York, po ashtu mori pjesën në një seancë të senatit të shtetit të New York-ut si dhe u takua me përfaqësues të komunitetin kosovaro-amerikan për të cilët shprehu një falënderim të veçantë për rolin e tyre në forcimin e lidhjeve mes Republikës së Kosovës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.