Trupat paraushtarake ruse që janë pjesë e grupit famëkeq rus të Wagner, kanë filluar zbarkimin e tyre në shtetin afrikan të Malit.
Në foton shihet një aeroplan transportues rus IL-76, nga i cili shihet se po zbarkonin kamionë ushtarakë rusë dhe mercenarë të Wagner.
Ekspertë ushtarakë që merren me formacionin paraushtarak të Wagner, komentojnë foton nga aeroporti i Malit, duke sqaruar se kamionët ushtarakë rusë që duken në foto janë përdorur nga pjesëtarët e Wagner edhe në Republikën Qendrore Afrikane, Siri dhe në shtetet tjera ku janë prezentë pjesëtarët e Wagner.
Qeveria e Malit, e drejtuar nga ushtria, thuhet se ka nënshkruar marrëveshje me Rusinë për dërgimin e së paku një mijë paramilitarëve të Wagner. Ky veprim i Malit po shihet me shqetësim nga fqinjtë, nga fakti se përmes paramilitarëve të Wagner do të rritet prezenca ruse në ketë pjesë të Afrikës.
Wagner drejtohet nga njeriu i besuar i Putin, Yevgeny Prigozhin, i cili ndryshe quhet edhe “Kuzhinieri i Putin”.
Rusia përmes pjesëtarëve të Wagner i forcon pozicionet e drejtuesve totalitarë të shteteve të caktuara afrikane, të cilët përballen me pakënaqësi popullore. Si bazë e Yevgeny Prigozhin dhe Wagner për Afrikë është Republika e Afrikës Qendrore, nga ku edhe koordinojnë aksionet në kontinentin afrikan. Përmes kësaj Rusia po tenton që ta rrisë ndikimin e saj në Afrikë, me qëllim eksploatimin e pasurive të shumta nëntokësore , siç janë nafta, ari, diamantet etj.
Në Wagner, nëpër periudha të ndryshme kanë marrë pjesë edhe serbë, kryesisht paramilitarë të luftërave në ish-Jugosllavi. Ndër më të njohuri është Davor Saviçiç, i dyshuar edhe për ekzekutimin e gjashtë të rinjve serbë në Pejë në dhjetor të vitit 1998, i njohur si rasti “Panda”.