Sot ka vazhduar procesi i gjykimit ndaj Andi Pajazitit, të akuzuarit për vrasjen e Kastriot Ramadanit, gjatë vitit 2023, në lokalin e njohur “BonVivant”, raporton GazetaDemos.
Në dosjen e Prokurorisë, teksa përshkruhet rasti thuhet se i pandehuri, Dukagjin Nikollaj, tashmë i arratisur, bashkë më tani të ndjerin Ramadani, e kishte ftuar të akuzuarin Andi Pajaziti që të ulet te tavolina e tyre, ku pas tensionimit të situatës ishte përdorur arma e zjarrit nga të dyja palët.
Pajaziti sot para trupit gjykues tha se ngjarje e tillë shpreson mos t’i ndodh askujt, teksa përsëriti kërkesën e tij që e vërteta të triumfojë.
I pyetur nga Gjykati rreth momentit kritik, Pajaziti tha se nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimit gjatë momentit kur Dukagjin Likaj i kërkoi të afrohej në tavolinën e tyre ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë.
Madje, ai thotë se të ndjerin Ramadani nuk e kishte vërejtur fare, teksa tregoi gjithashtu se gjatw bisedave me ta, në tavolinë kishte ardhë edhe Hysni Geci, për të cilin pati dyshime në mos e ka ditur se çfarë do të ndodh.
GazetaDemos iu sjell pjesë nga procesi i dëshmisë dhe marrjes në pyetje ndaj Andi Pajazitit nga Gjykata:
Gjyqtari: Në momentin kur Dukagjini iu është ofruar dhe ju ka kërkuar të afroheni në tavolinën e tij, a ka qenë vetëm Dukagjini apo edhe dikush tjetër?
Andi: Ka qenë me disa persona por nuk ia kam vënë mendjen.
Gjyqtari: A e keni vërejtur të ndjerin?
Andi: Jo se kam vërejtur sepse s’ma ka marrë vëmendjen. Vetëm e kam vërejtur se edhe një person tjetër është kur jam ulur në tavolinë të tyre
Gjyqtari: Derisa keni ndenjur në tavolinë, a ka ardhur edhe dikush?
Andi: Po, sa kemi qenë aty ka ardhur Hysni Geci na ka përshëndetur. Ndoshta edhe ai e ka ditur, por unë s’kam vërejtur dicka të dyshimtë
Gjyqtari: A keni diçka për të shtuar?
Andi: Jo, vetë shpresoj që mos t’i ndodh dikujt dhe të dal e vërteta siç është parë në video le të vërtetohet edhe në gjykatë.