Është ndezur Flakadani i “Flakës së Janarit 2024”, në shenjë të nderimit ndaj sakrificës së dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka, si dhe gjithë dëshmorëve tjerë të rënë për liri.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në fjalën e tij ka shprehur kënaqësinë që po fillon ky manifestim, të cilin e cilësoi unik për nga struktura përmbajtësore në mbarë hapësirën shqiptare e më gjërë.
“Po fillojmë këtë manifestim në 40-vejtorin e vrasjes së dy heronjëve tanë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Atëbotë Rexhep Mala 33-vjeçar e Nuhi Berisha 23 vjeçar, të cilët në shtetrrethim të paparë ndonjëherë, luftuan kundër forcave që ishin pakrahasimisht më të shumëta në numër dhe më të pajisura në armatime, duke rezistuar dy ditë rresht, për t’u bërë të përhershëm e përgjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive, si dhe për të përforcuar me gjakun e tyre rrugën e lirisë e cila do të kulmonte në vitin 1999 me clirimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Kryetari i Gjilanit ndër të tjera vuri në dukje edhe peshën dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje.
“Ky Manifestim përvec si aktivitet kulturor e artistik, ka vlerën edhe të historisë e peshën e madhe të barrës që duhet të bartin brezat që vijnë më pas, për rrugët që kanë trasuar dhe përgatitur për ne, e sidomos për ata që bartin sot përgjegjësitë publike, që të vazhdojë të jetë e ndershme ajo rrugë dhe të punohet me përkushtim të madh për të sjellur vendin tonë e popullin tonë në një gjendje më të mirë për vitet që vijnë e kohën që na pret”, shtoi Hyseni.
Në fund të ceremonisë hapëse të manifestimit “Flaka e Janarit 2024”, të pranishmit vizituan ekspozitën e prezantuar me temë: “Flaka ndër vite”.