Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Fatlum Mehmeti, i akuzuar për vrasjen e kolegut të tij, Lirim H., ka dhënë dëshminë e tij mbi ngjarjen tragjike që ndodhi gjatë një ndeje mes policëve.
Mehmeti, i cili po përballet me akuzën për vrasje nga pakujdesia, ka rrëfyer se gjatë asaj nate nuk ishte ndjerë mirë shëndetësisht dhe shumicën e kohës e kishte kaluar ulur pranë sobës, duke parë televizion dhe duke biseduar me kolegët. Sipas tij, arma ishte në xhepin e brendshëm të xhaketës, por pasi kishte shkuar të vallëzonte me kolegët, e kishte hequr dhe më pas e kishte marrë sërish kur ishte nisur për në banjo.
“E kam nxjerrë armën nga brezi, i bindur që e kam hequr karikatorin dhe nuk kishte asgjë në tytë. Duke qenë i sigurt që s’ka asnjë rrezik, e kam tërhequr këmbëzën. Ka dalë flakë, por krismën nuk e kam dëgjuar. Pastaj kam kaluar në gjendje shoku dhe nuk e dija çfarë kishte ndodhur”, ka deklaruar ai para trupit gjykues.
Mehmeti ka rrëfyer se pas të shtënës, ka parë kolegët duke bërtitur e vrapuar, por nuk e kishte kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Kur kishte parë trupin e Lirimit të shtrirë në dysheme, kishte humbur kontrollin dhe kishte filluar të godiste veten nga shoku dhe pendimi.
“Jam i penduar deri në fund të jetës. Asnjë dënim nuk e tejkalon dhimbjen dhe mallin që ndjej për Lirimin dhe barrën e përgjegjësisë që mbaj mbi supe. I kërkoj falje familjes së tij, policisë dhe familjes sime. Ne ishim shokë dhe kolegë të mirë”, ka thënë i akuzuari.
Pas kësaj dëshmie, avokati i tij, Labinot Buzuku, ka njoftuar gjykatën se klienti i tij nuk do të japë më asnjë deklaratë shtesë dhe do të mbrohet në heshtje.