Një person me inicialet A.LL. është gjobitur me 100 mijë lekë për shkelje të perimetrit të sigurisë ujore në plazhin e Borshit. Ai u vu në rrezik për pushuesit që frekuentonin zonën duke lundruar me një mjet lundrues tip skaf jashtë zonës së lejuar.
Policia Kufitare Himarë dhe Njësia Policore Detare intervenuan pas një denoncimi në rrjetet sociale, ku u publikuan pamje filmike që tregonin shkeljen. Mjeti u bllokua dhe drejtuesi u ndëshkua me masë administrative sipas ligjit nr. 43/2020, nenit 24/1/c.
Policia bën apel për respektimin e rregullave të lundrimit në zonat turistike dhe fton qytetarët që të raportojnë çdo shkelje në numrin 112 për një reagim të shpejtë.