Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Ndalimi i importeve nga Serbia godet veriun

    10/07/2024 19:49
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Lubisha Vuçkoviq, nga Mitrovica e Veriut e banuar me shumicë serbe, ka disa muaj që ka mbyllur biznesin e tij me mallra të konsumit të përditshëm, pasi nuk ka mundur të sigurojë prodhime të Serbisë për konsumatorët, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Shitorja nuk punon dhe mendoj se nuk do të punojë më kurrë. Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka fare produkte tona”, thotë Vuçkoviq, duke iu referuar atyre me origjinë nga Serbia.

    Ai tregon se ka tentuar ta vazhdojë biznesin me mallrat që janë të qasshme në Kosovë, por thotë se shitja e tyre ka qenë e dobët.

    “Kam bërë përpjekje të punoj me atë mall, nga Turqia, Maqedonia [e Veriut]… por nuk ka qenë as afër kualitetit të produkteve tona. Klientët kanë ndaluar së ardhuri dhe ma kanë dhënë këtë arsyetim”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Qeveria e Kosovës ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.

    Ndërkohë që policët kanë dalë nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së shumicës së produkteve nga Serbia ka vazhduar. Është hequr ndalesa vetëm mbi importin e lëndës së parë dhe të gjysmëproduketeve, por jo edhe mbi produktet e gatshme.

    Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë i kanë kërkuar disa herë Qeverisë së Kosovës që ta shfuqizojë këtë ndalesë, por ajo nuk ka ndryshuar qëndrim.

    Vështirësi për qytetarët e zakonshëm

    Disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, thonë se kjo masë i godet shumë ata që nuk mund të adaptohen me produktet që i kanë zëvendësuar ato serbe.

    “Sa na përket neve, qytetarëve, mendoj se kjo masë ndikon shumë, sepse ne jemi mësuar me disa produkte që i kemi konsumuar gjatë gjithë fëmijërisë dhe rritjes sonë. Tash nuk kemi qasje tek ato”, thotë Teodora Zhivanoviq.

    Ajo shton se edhe barnat me prejardhje nga Serbia, jo rrallëherë, mungojnë në barnatoret e qytetit.

    Për zëvendësimin e produkteve serbe, REL-i ka raportuar më herët se bizneset e Kosovës i kanë rritur importet nga vende të tjera, sidomos Maqedonia e Veriut.

    Por, Nenadi, po ashtu nga Mitrovica e Veriut, thotë se vështirësitë më të mëdha i ka me produktet ushqimore.

    “Fatkeqësisht, produktet që i blejmë këtu, në masë të madhe, janë nga Turqia ose Evropa perëndimore. Kështu që, shpeshherë kur blejmë diçka, nuk e dimë se çfarë blejmë, sepse nuk e kuptojmë se në cilën gjuhë janë [udhëzimet] dhe cilët janë përbërësit e tyre”, thotë ai.

    As Teodora, e as Nenadi nuk presin që ndalesa e produkteve serbe të hiqet së shpejti.

    Komuna e tyre, ashtu si edhe të tjerat të banuara me shumicë serbe në veri, janë më të lidhura me Serbinë dhe nuk u binden lehtësisht vendimeve të institucioneve të Kosovës.

    Qeveria: Masat, sipas vlerësimit të institucioneve të sigurisë

    Kur ka marrë vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, Qeveria e Kosovës e ka cilësuar atë si masë të sigurisë, dhe jo ekonomike apo tregtare.

    E pyetur nga Radio Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar shfuqizimin e saj, Qeveria thotë se vendimi varet nga vlerësimet e institucioneve të sigurisë në vend.

    “Masat në kufirin me Serbinë janë të sigurisë, për shkak të rrezikut të sigurisë që vjen nga Serbia. Janë institucionet e sigurisë ato që i bëjnë vlerësimet e vazhdueshme mbi nevojën apo jo të këtyre masave”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

    Aty përmendet edhe sulmi i 24 shtatorit në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës – ku grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e vendit, duke vrarë një oficer. Pas këtij sulmi, autoritetet e Kosovës kanë gjetur edhe sasi të mëdha armatimi.

    Kjo ka bërë që “institucionet e sigurisë t’i shtrëngojnë masat e sigurisë në kufirin me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.

    Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme se cili është vlerësimi aktual për nevojën ose jo të masave të sigurisë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

    Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se mallrat që hyjnë në Kosovë, i nënshtrohen kontrollit doganor. Rrjedhimisht, kalojnë edhe procesin e verifikimit.

    “Andaj, nuk do të duhej të paraqisnin problem për sigurinë”, thotë ai.

    “Por, nëse ka ndonjë masë tjetër represive ndaj Serbisë, që ajo të jetë më konstruktive në trajtimin e incidenteve… atëherë kjo është çështje e politikës së jashtme të Kosovës në raport me Serbinë”, shton Vrajolli për Radion Evropa e Lirë.

    Megjithatë, ai nuk e përjashton edhe mundësinë që Kosova të mos ketë pajisje të sofistikuara për verifikimin e dërgesave tregtare.

    Qeveria e Kosovës kujton se, muajin e kaluar, kryeministri Albin Kurti ka qenë në Portin e Hamburgut në Gjermani, “për të parë nga afër Sistemin e Skanimit të Ngarkesave me Rreze X dhe për të mësuar më shumë rreth mundësive që i ka Kosova për t’u pajisur me një sistem të tillë”.

    Në deklaratën e Qeverisë dhënë REL-it thuhet se ky sistem “do të ndihmonte shumë në monitorimin e produkteve që kalojnë kufirin, duke garantuar një nivel më të lartë të sigurisë pa e penguar tregtinë”.

    Por, aty nuk sqarohet se kur do të mund të sigurohet ky sistem dhe nëse ndalimi i produkteve të Serbisë do të mbetet në fuqi deri atëherë.

    Ndesh me kushtet e BE-së?

    Për shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, masa që e bllokon importin e produkteve të gatshme serbe në Kosovë, bie ndesh me lëvizjen e lirë të mallrave, që është një nga kushtet që kërkon Plani i Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Duke i komentuar çështjet që ndërlidhen me këtë plan në fund të muajit maj, Szunyog tha se ai përfshin kushtin për lëvizjen e lirë të mallrave.

    “Kështu që e inkurajojmë Kosovën që ta heqë ndalimin e produkteve serbe sa më shpejt që është e mundshme”, tha Szunyog.

    Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh, për periudhën 2024-2027, u miratua nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 7 maj, me qëllim të mbështetjes së reformave që lidhen me BE-në në rajon dhe të rritjes ekonomike.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha përmes një postimi në Facebook më herët se Kosova mund të përfitojë 950 milionë euro nga Plani i Rritjes.

    Por, për të përfituar mbështetjen nga ky plan, BE-ja i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të kenë edhe qasje konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, thotë se, në rast se heqja e masës që bllokon importin e produkteve të gatshme të Serbisë shndërrohet në kusht politik të BE-së për Kosovën dhe Qeveria e saj nuk e zbaton, kjo mund t’i kushtojë vendit, sipas tij.

    “Kjo do ta dobësonte ekonomikisht dhe politikisht shtetin e Kosovës. Paramendojeni, mbi 900 milionë euro janë sa një e treta e buxhetit të përgjithshëm të Kosovës… Nëse e humbim qasjen në këto fonde, kjo natyrisht që do të na çonte në regres ekonomik dhe jo në ndonjë progres”, thotë Skenderi për Radion Evropa e Lirë.

    Ai shton se Kosova, e cila synon integrimin në BE, duhet t’i dëgjojë rekomandimet që vijnë prej saj, përfshirë edhe heqjen e masës që bllokon importin e produkteve nga Serbia.

    OEK dhe OEA: Qeveria ta tërheqë “masën ndëshkimore”

    Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë thonë se është koha që Qeveria ta rishikojë vendimin e saj për ndalimin e importeve nga Serbia.

    Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), thotë se kjo masë e paraqet Kosovën si vend joserioz sa i përket respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Sipas tij, ajo bie ndesh me Marrëveshjen për tregun e përbashkët rajonal, të nënshkruar në nëntor të vitit 2020 në Sofje.

    Me atë marrëveshje, të gjitha vendet nënshkruese, përfshirë Kosovën, janë zotuar për lejimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

    Marrëveshja është arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe integrimin e vendeve të tij në BE.

    Sipas Rafunës, i cili është edhe president i Forumit të Investimeve të Odave Ekonomike të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, masa e Qeverisë së Kosovës më shumë i ka goditur kompanitë e vendeve partnere të Kosovës sesa ato të Serbisë.

    “Ai mall, në fakt, eksportohet prej Serbisë, por shumica absolute e tij, produkti final, prodhohet prej kompanive gjermane, amerikane, italiane, franceze dhe vendeve të tjera”, thotë Rafuna.

    Sipas tij, pas lejimit të lëndës së parë dhe të gjysmëprodukteve nga Serbia, ndalesa e produkteve të gatshme është “e palogjikshme”.

    “E them me shumë përgjegjësi se shumica e tyre prodhohen prej kompanive që janë të shteteve të Bashkimit Evropian”, thotë Rafuna.

    Të njëjtin mendim ndan edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEA).

    “Më tepër sesa një masë ndëshkimore për Serbinë, kjo duket të jetë një masë ndëshkimore për partnerët ndërkombëtarë dhe si e tillë duhet të hiqet sa më shpejt që është e mundshme”, thotë kryetari Arian Zeka.

    Vendet nga ku importon Kosova, përfshijnë ato të rajonit, të Bashkimit Evropian dhe Turqinë.

    Por, Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton.

    Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh – duke filluar nga produktet bazë deri tek ato ndërtimore – ndërsa eksporton nën vlerën e 1 miliard eurove – më së shumti produkte të metalit dhe plastikës.

    Artikuj të ngjashëm

    Peci publikon foto nga veriu: Freski, qetësi e siguri

    Deputeti gjerman në Bundestag: Të çmontohen strukturat paralele në veri të Kosovës

    Elshani: Kemi biseduar me Arsenijeviçin, do të intervistohet si të mbërrijë në kufi

    Të Fundit

    Grushtshteti në Serbi, efekti domino në rajon!

    KEDS-i mobilizohet për situata emergjente, blen 8 gjeneratorë mobilë

    Rusia nis sulm të madh ndaj Ukrainës pas kritikave të Trumpit ndaj Putinit

    Raporton qytetari nga Gurakoci i Istogut: Më është djegur shtëpia dhe 10 hektarë grurë si pasojë e banderave të vjetër të rrymës

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë thotë se është bllokuar regjistrimi i automjeteve të bizneseve: Avokati i Popullit të nis hetime

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.