Teleskopi Hapësinor James Webb i NASA -s ka gjetur planetin e tij të parë – dhe duket se është shumë i ngjashëm me Tokën.
Planeti ka pothuajse të njëjtën madhësi me botën tonë, dhe saktësia e JWST do të thotë që shkencëtarët mund të jenë shumë të sigurt për vëzhgimet e tyre, thonë ata.
Pritet të jetë vetëm fillimi i një sërë planetësh të gjetur nga teleskopi i ri hapësinor i NASA-s. Për më tepër, ai do të jetë në gjendje t’i shohë ato planete në detaje shumë më të imta se kurrë më parë, si teleskopi i vetëm që është në gjendje të karakterizojë atmosferën e planetëve të largët.
Megjithatë, tani për tani, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të thonë vetëm atë që nuk është e pranishme në atmosferën e planetit. Nuk mund të ketë një atmosferë të trashë të dominuar nga metani, për shembull, e ngjashme me atë në Titan, hënën e Saturnit.
Studiuesit shpresojnë të jenë në gjendje të karakterizojnë më mirë atmosferën e planetit të largët me kalimin e kohës.
“Këto rezultate të para vëzhgimi nga një planet shkëmbor i madhësisë së Tokës hapin derën e shumë mundësive të ardhshme për studimin e atmosferave të planetëve shkëmborë me teleskopin Webb,” tha Mark Clampin, drejtor i Divizionit të Astrofizikës në Selinë e Nasa-s në Uashington.
Planeti quhet LHS 475 b dhe është 41 vite dritë larg në yjësinë Oktane.
Është shumë herët të flitet për atë planet, por vëzhgimet e hershme kanë konfirmuar disa detaje rreth tij: ai ka një diametër 99 për qind të Tokës dhe është disa qindra gradë më i ngrohtë se planeti ynë.
Planetë të tillë të vegjël shkëmborë kanë mbetur të pakapshëm, sepse madhësia e tyre e vogël kërkon instrumente të fuqishme për t’u parë. Gjetjet e reja sugjerojnë megjithatë se fuqia e shtuar e JWST do t’i lejojë ata të shihen relativisht lehtë duke përdorur teknologjinë e re.