Në xhaminë “Sulltan Fatih” në Prishtinë u mbajt sot manifestimi qendror për festën e Kurban Bajramit, ku morën pjesë mijëra besimtarë. Me këtë rast, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, mbajti një ligjëratë festive, duke theksuar rëndësinë e sakrificës, solidaritetit dhe adhurimit në këtë ditë të shenjtë.
“Jemi mbledhur sot për të falur Kurban Bajramin, ditë kur sakrifica merr kuptim të thellë për familjen, shoqërinë dhe atdheun,” tha Tërnava. Ai theksoi se kjo festë është një kujtim i gjallë i sakrificës së pejgamberit Ibrahim a.s. dhe simbol i përkushtimit ndaj vlerave hyjnore.
Myftiu foli gjithashtu për sfidat me të cilat përballet shoqëria kosovare, përfshirë rënien e natalitetit dhe pasigurinë ekonomike që, sipas tij, po ndikojnë në vendimin e të rinjve për të mos krijuar familje të mëdha. Ai bëri thirrje për më shumë guxim dhe besim në riskun e garantuar nga Zoti.
“Le të kujtojmë se parimet e fesë sonë nxisin që ne të kemi familje të madhe dhe të mos frikësohemi për riskun e tyre, ngase atë e ka garantuar Krijuesi ynë,” u shpreh Tërnava.
Manifestimi u mbyll me faljen e namazit të Kurban Bajramit dhe urimet tradicionale mes besimtarëve.