Të paktën 10 azilantë iranianë që po qëndrojnë në kampin e Manzës në Durrës, pritet të dëshmojnë para autoriteteve suedeze për disa nga krimet më të rënda të ndodhur në burgun Gohardasht, gjatë luftës Iran-Irak, e cila u zhvillua gjatë viteve 1980-1988.
Burime nga gjykata e Durrësit konfirmuan për “Syri TV” se është lejuar ekzekutimi i letër-porosisë së gjykatës së Stokholmit për të pyetur rezidentët e kampit “Ashraf 3”, në kuadër të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Suedi ndaj Hamid Noury, (hamid njouri) ish-drejtues i burgut famëkeq të Gohardashtit.
Noury është arrestuar në vitin 2019 në Suedi dhe ndaj tij ka nisur procesi gjyqësor në gusht të këtij viti. Ai akuzohet për “vrasje” dhe “shkelje të të drejtave ndërkombëtare në konflikte të armatosura”. Sipas autoriteteve suedeze, Hamid Noury akuzohet se është përgjegjës drejtëpërdrejtë apo ka urdhëruar vrasjen e shumë të burgosurve të Gohardashtit, të cilët ishin kryesisht persona që kundërshtonin regjimin islamik, si edhe anëtarë të grupeve Muxhahedine.