Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, reagon ndaj deklaratës së Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, e cila pretendon se pranimi i fajësisë nga Igor Popoviq është bërë nën presion.
Musliu thekson se Popoviq ka pranuar fajësinë në një seancë të hapur, të monitoruar edhe nga mediat, ku publikisht është pajtuar me deklaratën e përfaqësuesit të tij ligjor dhe marrëveshjen me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas tij, pretendimet e Serbisë janë “të pavërteta dhe një piskamë e pafuqisë për të ndërhyrë në vendimet sovrane e demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës”.
“Deklarata e Ministrisë së Drejtësisë e Serbisë se pranimi i fajësisë nga ana e Igor Popoviq është bërë nën presion është sa e pavërtetë aq edhe një piskamë e pafuqisë së Serbisë për të ndërhyrë në vendimet sovrane dhe demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës”, shtoi Musliu.