Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë vizitës në Vjenë, sot u takua me Ministrin e Çështjeve Sociale, Shëndetësisë, Kujdesit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të Austrisë, Johannes Rauch, me ç’rast diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e politikave sociale.
Gjatë takimit, siç informoi ministria, Murati e Rauch diskutuan për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje bilaterale për koordinimin e sigurimit social, e cila do të mundësonte eskportimin e pensioneve dhe njohjen e periudhave të sigurimi në mes të dyja shteteve.
“Gjithashtu, Ministri Murati e njoftoi Ministrin Rauch lidhur me masat e ndërrmarra nga Qeveria e Kosovës me qëllim të lehtësimit të përballjes me inflacionin dhe krizën energjetike nga grupet e cenueshme të shoqërisë.”, u bë e ditur në komunikatë.
Në anën tjetër, ministri Rauch shprehu gatishmërinë e tij për bashëpunim ndërshtetëror në fushën e politikave sociale dhe arritjen e një marrëveshjeje për sigurime sociale, me ç’rast u dakorduan për vazhdimin e kontakteve dhe shqyrtimin e hapave të nevojshëm.