Ismet Munishi e sheh si shqetësuese gjendjen aktuale të futbollit kosovar.
Trajneri i deridjeshëm i FC Prishtinës i ka goditur njerëzit që i rrinë afër dhe që e këshillojnë kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Trajneri karizmatik thotë se “servilat” e kanë marrë në qafë kreun e FFK-së duke “ia bërë rrafsh” dhe “duke ia rrahë krahët”, e rrjedhimisht duke mos i treguar se ku e ka gabim dhe se ku duhet t’i ndryshojë qëndrimet dhe veprimet.
Ditë më parë, Gjykata Themelore e Prishtinës, me kërkesë të Prokurorit të Shtetit ia shqiptoi kryetarit Ademi vendimin e arrestit shtëpiak për një muaj.
Krahas tij, në pyetje u mor edhe drejtori i financave në FFK, Agim Gashi.
“Edhe unë jam fajtor që është prishur imazhi i futbollit. Pse ne duhet ta kërkojmë një fajtor kujdestar? Edhe ata që e këshillojnë janë fajtorë. Nuk duhet vetëm t’ia bëjnë rrafsh. Te ne e kemi një kryetar dhe 17 servila për okolla, veç duke ia rreh krahët, duke i thënë se mirë po dukesh, mirë ke fol. Nuk bën kështu, nuk ia duan të mirën. Duhet t’i thuash ‘nuk e ke mirë, këtu e ke gabim’. Në të gjitha sferat është njëjtë, jemi shndrruar në një komunitet ‘miserable’, dhe unë i përkas këtij komuniteti. Më vjen shumë keq”, deklaroi Munishi në emisionin “Dueli Sportiv”.